ZYRTARE: Boban emërohet drejtues i zonës teknike te Milani.

Legjenda kroate, Zvonimir Boban zyrtarisht largohet nga posti i tij në FIFA për t’u bërë drejtues kryesor i futbollit te Milani.
Boban ka punuar si zëvendës sekretar i përgjithshëm i FIFA-s që nga viti 2016, por tani do të kthehet te Milani në rolin e drejtuesit teknik
“Do të jem gjithmonë mirënjohës ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino për mundësinë që më dha pas zgjedhjes së tij në vitin 2016”, ka thënë fillimisht kroati për faqen zyrtare të FIFA-s.
“Ndihem vërtet i nderuar dhe i privilegjuar që kam punuar në projekte të tilla të rëndësishme për ta kthyer FIFA në vendin e tij të duhur, larg skandaleve të së kaluarës dhe një imazhi të prishur.
Është jashtëzakonisht e vështirë të largohem nga FIFA, por kam ndjekur zemrën time dhe pasionin tim kur e kam marrë këtë vendim, siç ishte rasti kur e pranova sfidën e anëtarësimit në FIFA”.
“Njerëzit te Milani janë familja ime dhe qyteti i Milanos dhe Italia janë shtëpia ime. Kam një dëshirë të zjarrtë për të ndihmuar këtë klub të lavdishëm, që do të thotë kaq shumë për mua, të kthehet aty ku i përket”, deklaroi Boban.

Ai do të punojë së bashku me drejtorin Ivan Gazidis dhe legjendën Paolo Maldini, i cili tani është emëruar edhe në pozicionin e drejtorit teknik.